Shamima Begum i kërkoi falje njerëzve në Britani të Madhe që iu bashkua Shtetit Islamik dhe thotë se më mirë për të është “të vdesë” sesa të kthehet në organizatën terroriste.
Në një intervistë për “Good Morning Britain” nga një kamp sirian ku po mbahet, 22-vjeçarja tha: “ Nuk ka justifikim t’i vrasësh njerëzit në emër të Zotit. Ju kërkoj falje. Më falni”.
Begum u largua nga Britania e Madhe kur ishte vetëm 15-vjeçe bashkë me dy vajza tjera. Ato shkuan në Siri për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në shkurt të vitit 2015.
Begum tha se shkoi në Siri me mendimin se “po e bënte gjënë e duhur si myslimane”.
“Nuk doja ta lëndoja askënd qoftë në Siri, apo edhe në vende tjera të botës. Në atë kohë s’dija gjë për kultin e vdekjes, mendoja se ishte komunitet islamik”, deklaroi ajo.
Që nga shkurti i vitit 2019, Begum ishte në kampin Al-Roj në Siri. Dy vjet më parë asaj i ishte marrë nënshtetësia britanike. Ajo dëshiron të kthehet në Britani të Madhe, por Gjykata Supreme s’e lejon këtë.
Begum i bëri thirrje kryeministrit Boris Johnson, duke i kërkuar atij që ta lejojë atë të hyjë përsëri në Mbretërinë e Bashkuar dhe të gjykohet./UBTNews