Me ftesë të Shoqatës së Diasporës Shqiptare dhe Arbëreshe “Korabi”, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi për disa ditë qëndroi për vizitë në qytezën Firmo të Italisë, me ç’rast mori pjesë në një ceremoni të arbëreshëve të Italisë, ku u promovua busti i Nënës Terezë.
Rektori Hajrizi përgjatë vizitës së tij në qytezën arbëreshe Firmo, mori pjesë në një konferencë që u organizua atje, ku u prit miqësisht nga shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë atje.
“Jam i lumtur dhe i privilegjuar që ndodhem pranë jush dhe njëkohësisht dua të ju falënderoj për kontributin që keni dhënë në ruajtjen e traditës, kulturës, gjuhës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ne do të vazhdojmë që t’ju qëndrojmë afër dhe t’ju mbështesim në vazhdimësi në ruajtjen e këtyre traditave”, ka thënë Rektori Hajrizi
Në këtë vizitë, bërë disa fshatrave dhe qyteteve në Itali, Rektori Hajrizi takoi kryetarë të bashkive, klerikë fetarë, profesorë, përfaqësues të organizatave kulturore, si dhe banorë arbëreshë të kësaj rrethine.
“Jemi të nderuar me ftesën për të marr pjesë në promovimin e bustit të Nënës Terezë në Qytezën Firmo, një vend i veçantë në regjionin e Kalabrisë dhe kryesisht i populluar nga arbëreshët që flasin gjuhën shqipe. Mikpritja e tyre ishte e ngrohtë, po aq sa dashuria e ruajtur përgjatë shekujve për gjuhën, kulturën dhe traditat tona”, ka thënë Rektori Hajrizi.
Promovimi i bustit të Nënës Terezë ishte një ngjarje e rëndësishme për këtë komunitet, duke vlerësuar lartë punën humanitare dhe dashurinë ndaj njerëzve. Pjesëmarrja e Rektorit Hajrizi në këtë ngjarje të rëndësishme, me ftesë nga Shoqata e Diasporës Shqiptare dhe Arbëreshe “Korabi”, ishte një moment i veçantë që shpreh respektin dhe dashurinë ndaj bashkëkombësve përtej kufijve.
Gjatë qëndrimit disa ditor, Rektori Hajrizi, vizitoi manastire, muze, bizneset, si dhe shtëpinë ku ka jetuar shkrimtari shqiptar Jeronim De Rada, teksa mori pjesë në koncertin e organizuar enkas për vizitorët në qytezën Firmo.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, takoi edhe profesorë arbëreshë të Italisë, me të cilët diskutoi rreth fushës së arsimit dhe shkencës, teksa nga komuniteti i arbëreshëve u ftua që të bashkëpunojnë në të ardhmen për projekte të përbashkëta zhvillimore.