Nga Mero Baze – Kur Edi Rama filloi të promovojë emërimin e intelektualëve të Kosovës në poste zyrtare në Shqipëri, kam përjetuar një lloj ankthi, që më vjen nga vitet 90, kur Shqipëria u hap dhe bashkë me botën, po njihte dhe Kosovën.
Në gjysmën e parë të viteve 90 në Tiranë egzistonte një lloj antikosovarizmi, i cili në vetvete përfaqësonte atë rracizmin e fshehur shqiptar, që maskohej herë me ideologji , herë me politikë dhe që shpesh tentonte të justifikohej me diferencat kulturore dhe ekonomike mes dy vendeve.
Një koleg i imi nga Kosova, në atë kohë redaktor në Rilindje u zhvendos në Tiranë pas mbylljes së gazetës në Prishtinë dhe po kërkonte një apartament tek rruga Myslym Shyri. U angazhova dhe unë mos gjeja dikë, por sa i përmendja që e doja për dikë nga Kosova, cmimi rritej dhe fillonin dyshimet për atë që do vinte aty.
Më në fund u gjet dikush që i ofroi një apartament të bollshëm me një cmim suprizues, diku tek 250 marka nga 350 që mund ta ofronte normalisht, sidomos për një “kosovar”.
I suprizuar me rastin, e pyes kolegun tim, se cfarë ndodhi me këtë tipin, që e uli cmimin.
-Nuk e di më tha. As vet se kuptova. Më tha nëse je kosovar e ke 100 marka më pak. Unë jam cam dhe kam 50 vjet që më shajnë “cam muti” këtu në Tiranë. Që kur keni ardh ju kosovarët, kemi shpëtuar, ju shajnë ju “kosovarë muti”. Hallall i ke 100 marka.
Kjo i shpjegonte të gjitha. Komuniteti cam i zbuar nga Greqia në mbarim të luftës, është shpërndarë gjithandej nëpër Shqipëri, dhe është ndeshur fort po ashtu me një lloj racizmi vendas, që i ka bërë ata më të izoluar dhe ia ka detyruar ende të funksionojnë së bashku si grup pas 70 vitesh a thua se nuk janë shqiptarë dhe duhet të mbrojnë njëri tjetrin. Bile kanë dhe një parti për të mudnësuar gjetjen e ndonjë vendi pune në administratë për këtë shkak.
Gjesti i Edi Ramës, për të emëruar dy ministra të rëndësishëm të qeverisë nga Kosova, ka qenë ndoshta më emancipuesi që një politikan shqiptar në postin e kryeministrit ka bërë pas viteve 90 në raport me Kosovën. Duke e parë se ka bërë këtë gjë me intuitën e një populisti pa e njohur mirë terrenin, po e ndiqja këtë me kërshërinë e një eksperimenti social.
U duk se në mandatin e parë dështoi në heshtje me zëvendësministrat që emëroi. Ata erdhën panë dhe ikën në heshtje. Nuk ja dolën dot.
Edi Rama nuk u dorëzua dhe duke menduar se ata i shtypi arroganca dhe racizmi i ministrave të tij, në mandatin e dytë emëroi dy ministrat më të rëndësishëm të qeverisë Gent Calaj dhe Besa Shahinin nga Kosova.
Me të parin u ndesh me rracizmin zyrtar të Presidentit të Republikës Ilir Meta, që e trajtoi një djal 28 vjecar nga Kosova si agjent ndërkombëtar por sidomos si agjent të Beogradit. Racizmi dhe antikosavarizmi i Ilir Metës në atë rat ttejkalonte ligësinë e komunistëve shqiptarë që arrestonin cdo kosovarë që kalonte kufirin si idealist, duke e quajtur agjent të UDB.
Besa Shahini i shpëtoi racizmit të Ilir Metës, por jo rracizmit tonë.
Për dy vite në krye të Ministrisë së Arsimit ne nuk dëgjuam asnjë skandal të Besës. Ajo nuk u përfol asnjëherë për vjedhje, për ndonjë tender, për ndonjë skandal financiar apo profesional në punë. Ajo u emërua ministre në mes të një beteje të nxehtë të studentëve kundër qeverisë , dhe u përpoq tu strukturonte kërkesat e tyre, dhe të ndante problmet reale të studentëve nga histeritë politike.
Nga ana tjetër është e vërtet se kam dëgjuar plot socialistë të xhindosur që ajo nuk u ka hap rrugë për emërime në arsim , dhe ndoshta është treguar jo praktike në kombinimin e politikave arsimore me politikat e qeverisjes lokale.
Eshtë ndoshta e vërtet që Besa nuk bëri ndonjë përpjekje të bëhej shqiptare e Shqipërisë , të përshtatej me mentalitetin tonë, të thyente theksin e “kosovarishtes” me normën zyrtare, të bëhej më popullore në këtë anë të kufirit etj. Por më shumë se sa nuk ka dashur ajo, nuk kemi dashur ne. Ne nuk e pamë asnjë ditë atë, si një ministre që mund të bëhej e jona, por si një peshqesh të Edi Ramës nga Kosova.
Dhe ky është një dështim i madh i shoqërisë sonë, pasi kemi deinkurajuar një nga nismat më pozitive kombëtare të Edi Ramës për të integruar dy shoqëritë me njëra tjetrën.
Deri më sot i vetmi njeri që ka ardhur nga Kosova dhe ka bërë hajër në Shqipëri mbetet Lulzim Basha.
Dhe këtu nuk kemi faj vetëm ne të Shqipërisë. Helmi dhe ligësia më e madhe kundër dy zgjedhjeve të Edi Ramës erdhi nga Kosova. Mos harroni Albin Kurtin, këtë “ideator” të madh të bashkimit kombëtar, i cili mori rrugën nga Prishtina në Tiranë dhe bëri tubim me student kundër Besa Shahinit dhe Gent Cakaj, pse ishin bërë ministra në Shqipëri dhe pse po hidhej hapi i parë i integrimit Shqipëri Kosovë në nivel qeverisje.
Një mijë të zeza shpikën për ta, duke furnizuar shtypin e pacipë të Tiranës, që dhe ashtu është gati të nxijë cdo gjë nga Kosova që vjen këtu, ashtu si shtypi i Kosovës që nxin cdo gjë që shkon nga Shqipëria atje.
Unë se kam takuar kurrë Besa Shahinin. Nuk kam asnjë përshtypje personale për personalitetin e saj, apo për atë sesi ajo sillet si qytetare në Shqipëri. Por më mjafton të shof kët racizëm të pafrenuar shqiptar si një lehtësim që ajo iku, për të më kthyer në makthin e fillim-viteve 90, kur vet punoja për Rlindjen e Kosovës, që ishte gazeta e parë që është botuar si ditore me 16 faqe në Tiranë dhe shitej vetëm 200 kopje në ditë, ndërsa në Maqedoni dërgonim nga Tirana 3 mijë kopje.
Dhe e pyes një shitës një ditë në Tiranë: Po pse nuk e blejnë këtë gazetën cfarë thonë njerëzit?
-Po ca të them unë mor djalë,- tha. E mirë duket si gazetë, po është me Kosovë, nuk e duan.