Trupi gjykues në rastin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, e ka caktuar 21 shkurtin datë për fillimin e gjykimit në këtë çështje.
Njoftimi është bërë i ditur nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Gjykata ka njoftuar se deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar si dhe ato të Mbrojtësit të viktimave, do të mbahen më 22 shkurt, ndërsa paraqitja e provave do të fillojë më 27 mars.
“Më 26 janar, Trupi Gjykues I vendosi që gjykimi kundër Pjetër Shalës të fillojë të martën, më 21 shkurt 2023, në orën 09:30. Deklaratat hyrëse të ZPS-së, Mbrojtësit të Viktimave dhe Mbrojtjes, për të cilat secilës palë do t’i caktohen nga 2 orë, do të mbahen në të njëjtën datë dhe më 22 shkurt, ndërsa paraqitja aktuale e provave do të fillojë më 27 mars 2023. Më shumë detaje, duke përfshirë informacionin për oraret e seancave në periudhën e parë, mund të shihen në vendimin aktual”, thuhet në njoftim.
Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.