Veprime populiste dhe për shkaqe elektorale po konsiderohet mbyllja e nëntë pikave të Postës së Serbisë në veri. Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njohësve të procesit të dialogut, veprimet e njëanshme të kryeministrit Albin Kurti rrezikojnë seriozisht raportet me aleatët, veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje për reagimin e BE-së dhe ShBA-së, të cilët mbylljen e pikave të postës serbe në veri e kualifikuan si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë se qeveria po tenton që përmes veriut të mbulojë dështimet në katër vjet qeverisje.
Megjithëse deklaron se pikat e postës serbe në veri duhet të mbyllen, por shton se i njëjti duhet të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës.
Krasniqi, e cila është edhe kryetare e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, thekson se këto veprime të qeverisë në veri mund të rrezikojnë që masat ndëshkuese të BE-së të qëndrojnë, madje edhe të ashpërsohen.
“Ju e dini se tash është fushatë zgjedhore dhe për me i mbulua të gjitha dështimet që i kanë pasur në qeveri, që s’kanë bërë asgjë dhe jemi në vitin e katërt, kanë nis të merren me një problem tjetër, siç janë posta serbe në pjesën veriore. S’po them që nuk duhet me u mbyll, mirëpo çdo herë duhet koordinuar me aleatë tanë ndërkombëtarë. Po i shohim reagimet e ShBA-së dhe BE-së, të cilat janë tejet shqetësuese. Në vend që të hiqen masat nga Bashkimi Evropian ne vazhdojmë moskoordinimin, i cili është shqetësues për vendin dhe qytetarët…Po shihet që raportet janë prishur, pasi ShBA-ja kurrë më e shqetësuar s’ka qenë sesa me këtë qeverisje”, thotë ajo.
Ndërkaq, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë se veprimet në veri po i shërbejnë vetëm partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje për vota në zgjedhjet nacionale.
Sadiku kërkon që veprimet e ardhshme në veri të koordinohen me aleatët, në mënyrë, siç thekson mos të ketë tensionim të situatës në veri.
“Raporti veçse është i lënduar, duke pasur parasysh se Kosova është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Disa fonde të cilat kanë qenë në kuadër të IPA-s sigurisht meqenëse s’janë shfrytëzuar do të shkojnë vitin tjetër. Gjasat janë që këto masa mos të hiqen, por të shtohen sanksionet apo vërejtjet për Kosovën. Në anën tjetër, Serbia nuk është që po qortohet por po ka investime të reja sikur kjo e fundit që ishte me litiumin nga Gjermania. Prandaj ne duhet t’i shoshisim gjërat se a është në të mirën tonë apo shkon në disfavaror të Kosovës, përveç që mund t’i shërbejë partisë në pushtet për vota në zgjedhjet e ardhshme nacionale”, thekson Sadiku.
Policia e Kosovës të hënën ka mbyllur nëntë degë të Postës së Serbisë në komunat veriore të Kosovës, që kishin vepruar ilegalisht. Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.
Pas këtyre zhvillimeve reagoi Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët e konsideruan si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar./UBTNews/