UBT News

Mbyllet Qeveria amerikane, Trump kërcënon me reduktim të vendeve të punës për demokratët

Qeveria amerikane nisi mbylljen në mesnatë pasi ligjvënësit dhe presidenti amerikan, Donald Trump, dështuan të arrinin një marrëveshje për shpenzimet gjatë bisedimeve të tensionuara që u kushtëzuan nga kërkesat e demokratëve që të financohet kujdesi shëndetësor.

Kjo është hera e parë që Qeveria amerikane mbyllet pas mbylljes më të gjatë në histori që zgjati 35 ditë para pothuajse shtatë vitesh.

Trump fajësoi demokratët për bisedimet që ngecën dhe kërcënoi se do të ndëshkonte partinë dhe votuesit e saj gjatë mbylljes, duke paralajmëruar se do të shënjestrojë disa prioritete progresive, duke detyruar shkurtime masive në vendet e punës në sektorin publik.

“Do të largojmë nga puna shumë njerëz që do të preken shumë dhe ata do të jenë demokratë”, tha Trump për gazetarët në Zyrën Ovale.

Ai shtoi se shumë gjëra të mira do të vijnë nga mbyllja, duke sugjeruar se do ta përdorë këtë ndërprerje për të hequr qafe shumë gjëra që nuk i donim, dhe ato gjëra do të jenë të demokratëve.

Operacionet qeveritare nisën të paralizoheshin pas mesnatës, pas një përpjekje të dështuar në Senat për miratimin e një rezolute rezolutë afatshkurtër të financimit, që veçse është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Kërcënimi i Trumpit për shkurtime të reja të vendeve të punës ka rritur shqetësimet në mesin e punëtorëve federalë, pas largimeve masive nga puna më herët gjatë këtij viti nga Departamenti për Efiçiencë Qeveritare që u drejtua nga Elon Musk..

Pothuajse të gjithë demokratët në Senat votuan kundër projektligjit që kishte kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Qeveria federale është mbyllur 21 herë që nga viti 1976, kur Kongresi miratoi procesin e ri për miratimin e buxhetit. Disa mbyllje kanë zgjatur vetëm disa orë dhe nuk kanë pasur ndikim në funksionimin e Qeverisë.

Mbyllja më e gjatë, ndërkaq, nisi më 22 dhjetor 2018, kur demokratët dhe Trumpi nuk arritën pajtim për 5.8 miliardë dollarët që presidenti i kërkonte për murin në kufi me Meksikën.

Atëbotë, pothuajse 380 mijë punonjës federalë u dërguan në pushim administrativ, ndërkaq 420 mijë të tjerë punuan pa pagesë.

Mbyllja e re nuk do të prekë funksionet vitale, sikurse janë shërbimet postare, ushtria, programet për mirëqenie. Por, deri në 750 mijë punonjës mund të dërgohen në shtëpi dhe nuk do të mund të paguhen derisa të përfundojë mbyllja, sipas Zyrës për Buxhet të Kongresit./S.K/EO/

Exit mobile version