Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë e ka mbyllur përkohësisht pishinën e Gërmisë në Prishtinë. Ky vendim vjen pasi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi më herët të enjten se mostrat e marra nga uji i pishinës publike tregojnë se uji nuk i plotëson standardet.
Instituti njoftoi se është duke e bërë monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit në këtë pishinë publike.
“Ekspertët e Ekologjisë Humane nga IKSHPK kanë marrë mostra për analizë laboratorike nga uji i kësaj pishine, të premten më 19 korrik 2025. Rezultatet e këtyre mostrave te lëshuara me 22 korrik 2025, treguan se parametrat mikrobiologjikë nuk plotësuan standardet për ujin e pishinës”, tha IKSHPK përmes një njoftimi.
Sipas Institutit, Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë vizitë në këtë pishinë, në të njëjtën ditë.
“Më 23 korrik 2025, janë marrë mostra të përsëritura dhe rezultatet përfundimtare pritet të jenë të gatshme ditën e premte, me 25 korrik 2025”, tha tutje Instituti.
Në njoftim u bë e ditur se në momentin që rezultatet e reja do të jenë të disponueshme, qytetarët do të njoftohen përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të IKSHPK-së.