Policia e Kosovës, sot ka informuar se është mbyllur përkohësisht aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Sipas Policisë, mbyllja e përkohshme e aeroportit ka ndodhur për shkak të një kanosjeje me mjete shpërthyese.
“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin. Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve”, ka bërë të ditur Policia.
Ndryshe, pak më parë, zëdhënësja e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, ka informuar se kanë pranuar kërcënim me bombë. Udhëtarët dhe personeli, sipas saj, janë evakuar dhe janë të sigurt.