UBT News

Mbyllet një biznes dhe dënohen 23 të tjera për mosrespektim të masave antiCOVID

Inspektorët sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, mbrëmë gjatë inspektimeve në bizneset e gastronomisë për mosrespektim të masave Covid-19, kanë shqiptuar 15 gjoba në Prishtinë dhe 8 të tjera në regjion të Ferizajt.

Zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi theksoi për KosovaPress, se agjencia përmes inspektoratit sanitar, edhe para festave dhe gjatë festës së djeshme të Fiter Bajramit, kanë monitoruar dhe bërë apel se mbi çdo festë, është ruajtja e shëndetit dhe jetës së qytetarëve. Ai tha se autoritetet kompetente kanë vepruar në terren në gjithë vendin gjatë gjithë kohës për të mbikëqyrë zbatimin e masave antiCOVID, bazuar në vendimin e fundit të Qeverisë.

“Edhe gjatë natës së mbrëmshme ne kemi gjobitur disa lokale të gastronomisë, të cilat nuk kanë krijuar kushte për ruajtje të distancës. Vetëm në Prishtinë janë gjobitur 15 lokale dhe gjysma prej tyre jo vetëm që janë gjobitur, por edhe janë zbrazur dhe mbyllur për natën e mbrëmshme, sepse ka qenë qe pa mundur që të krijohen kushtet për ruajtje të distancës. Kontrollet për mbikëqyrje të zbatimit të masave antiCovid do të vazhdojnë në gjithë territorin e Kosovës. Ne bashkë me policinë jemi përgjegjës për mbikëqyrjen e tyre dhe do të vazhdojmë punën që të ndikojmë në rënie të vazhdueshme të numrit të infektuarve. Falë kontrolleve që ne kemi realizuar bashkë me policinë e Kosovës dhe rreptësisë që kemi treguar sidomos në muajin e fundit, ne kemi arritur që të kemi një rënie drastike të numrit të infektuarve”, theksoi ai.

Thaçi thotë se mbrëmë në Ferizaj kanë mbyllur një lokal të gastronomisë dhe kanë gjobitur tetë sosh.

“Vetëm gjatë natës së mbrëmshme në regjionin e Ferizajt janë shqiptuar 8 gjoba juridike, 4 prej tyre janë në Kaçanik dhe 4 të tjera në Ferizaj. Një lokal është mbyllur për shkak se ka shkelur masat antiCovid. Ne tani përveç gjobave që jemi duke i shqiptuar për bizneset, këto kur shkelin masat, veprimi i ynë gjithmonë do të jetë mbyllja e tyre, sepse qëllimi nuk është vetëm të shqiptojmë gjoba, por masat duhet të respektohen që të kemi një sukses në luftën ndaj Covid19”, thekson Thaçi.

Ai shtoi se si organe mbikëqyrëse ligj zbatuese do të punojnë sipas mandatit për të ndikuar në uljen e numrit të të prekurve nga Covid-19. Për këtë, ai thekson se gjithmonë duhet bashkëpunimi i qytetarëve dhe bizneseve që ato ta ndiejnë veten përgjegjëse për respektimin e masave, sepse vetëm në këtë formë mund të luftohet kjo dukuri që e ke kapluar gjithë globin.

Sa i përket gjobave, zëdhënësi i AUV ka thënë se varësisht nga shkeljet dhe llojet e bizneseve janë të kategorizuara me ligj masat ndëshkuese që fillojnë nga 200 deri në 2000 euro. 

Exit mobile version