Gjatë ditëve të Akademisë Verore të Juridikut, ekspertë dhe profesionistë të fushës së drejtësisë u mblodhën për të diskutuar temën e rëndësishme “Dhuna në Familje dhe Mbrojtja e të Drejtave të Pronësore të Grave”.
Mbyllja e kësaj akademie u shënua me mbajtjen e një seance gjyqësore të simuluar për vërtetim pronësie, e cila u realizua me sukses në ambientet e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Seanca e simuluar gjyqësore civile për vërtetim pronësie, e përgatitur nga Prof. Asst. Dr. Egzone Osmanaj dhe gjyqtarja Rrezarta Ajeti, u shndërrua në një nga momentet kulmore të akademisë, duke ofruar studentëve një eksperiencë praktike të çmuar dhe një mundësi për të zhvilluar aftësitë e tyre profesionale në një mjedis real gjyqësor.
Në kuadër të aktiviteteve të Akademisë Verore të Juridikut, studentët patën mundësinë të merrnin pjesë në ligjërata të specializuara nga personalitete të njohura akademike dhe praktike të fushës së drejtësisë.
Disa prej këtyre ligjëratave përfshinin: Ligjërata nga Assoc. Prof. Dr. Vedije Ratkoceri me temën “Dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore në prizmin juridiko-penal”; Ligjërata nga Asst. Prof. Dr. Albana Metaj – Stojanova rreth “Perspektivës gjinore në të drejtat pronësore dhe trashëgimore: fuqizimi i grave përmes barazisë”. Ligjërata nga Prof. Asoc. Dr. Ahmet Maloku mbi “Roli i mediave në parandalimin e dhunës në familje”.
Përveç ligjëratave, studentët morën pjesë në një punëtori të rëndësishme me temë “Mbrojtja e të drejtave pronësore të grave dhe roli i noterit”, të drejtuar nga noterja Arbena Shehu dhe Prof. Ass. Dr. Jorida Xhafaj.
Kjo punëtori ofroi një perspektivë praktike dhe aplikative për studentët në fushën e të drejtave pronësore, duke i afruar ata me sfidat dhe mundësitë reale që ofron profesioni i noterit.