UBT News

Mbrojtja e Thaçit adreson kritika ndaj Prokurorisë për vonesë në dorëzimin e dokumenteve

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve që po mbahet në Dhomat e Specializuara sot në Hagë, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, avokati Pierre Rixhard Prosper ka adresuar kritika në drejtim të Prokurorisë, për siç ka thënë ai, vonesë të Prokurorisë në dorëzimin e dokumenteve.

“Ne po i marrim dokumentet një nga një, copë-copë, Prokuroria ka pesë vjet që punon dhe duhet të ishte gati, ata e kanë paraqitur aktakuzën para një viti e gjysmë, dhe tani nuk janë gati, ankohen se po përpiqemi të prioritizojmë, jemi të zënë kemi punë të tjera. Pyetja ime është, pse e bëtë atëherë aktakuzën, na keni vënë në një pozitë ku klientët tanë kanë humbur lirinë, kanë humbur prezumimin e pafajësisë sepse Prokuroria nuk është gati dhe ne po marrim materialin sipas tekeve të tyre, është shumë vështirë për ne që të komentojmë duke pasur një pamje jo të plotë dhe kjo është shqetësuese për ne dhe shkelë edhe të drejtat ndërkombëtare, instrumentet e të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte. Ata u arrestuan në fillim të nëntorit të vitit të kaluar.

Exit mobile version