Trupi gjykues në rastin kundër Pjetër Shalës ka refuzuar pesë dëshmitarë që mbrojtja kishte parashikuar të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësore. Kjo është bërë e ditur në konferencën përgatitore për mbrojtjen që është mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka thënë se paraqitja e provave nga mbrojtja e Shalës do të fillojë më 18 shtator 2023.
“Trupi gjykues urdhëron heqjen e dëshmitarëve të mëposhtëm nga lista e dëshmitarëve të mbrojtjes, këta dëshmitarë janë 4454, dëshmitari i dytë është 404, dëshmitari i tretë është dëshmitari 2517, dëshmitari i katërt është 2549 dhe dëshmitari i fundit është 4751. Në pajtim me rregullën 119 paragrafi 3 i rregullores”, ka thënë Foglia.
Në një pjesë të arsyetimit të këtij urdhri, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun apo është transmetuar me përmbajtje të redaktuar.
Ndërsa në seancë publike, kryegjykatësja ka thënë se dëshmia e pritshme e dëshmitarit me kodin 4454 është përtej kuadrit material dhe kohor të akuzave dhe sipas saj nuk e ndihmon turpin gjykues për zbulimin e së vërtetës.
“Sa i takon dëshmitarit 4454 ne vërejmë që ky dëshmitar ka qëndruar në shtëpinë 1 në Kukës dhe ka shkuar në fabrikën e përpunimit të metalit në Kukës vetëm dy herë përpara fundit të prillit të vitit 1999. Si rezultat, trupi gjykues konstaton se dëshmia e pritshme e këtij dëshmitari është përtej kuadrit material dhe kohor të akuzave dhe nuk do ta ndihmojë trupin gjykues për përcaktimin e fakteve dhe për zbulimin e së vërtetës. Sa i takon dëshmitarit 4-04 i cili do të pritej të dëshmonte në kohën që ka kaluar në qendrën e mobilizimit në Kukës në vitin 1999, turpi gjykues konstaton se edhe pas parashtrimeve të përmbledhjeve të rishikuara, mbrojtja nuk ka dëshmuar që dëshmitari ka qenë i pranishëm në fabrikën e përpunimit të metalit në Kukës në kohën që lidhet me aktakuzën, me fjalë të tjera mbrojtja nuk ka treguar që dëshmitari i propozuar nuk ka qenë anëtar i Brigadës 128 dhe që ky dëshmitar nuk e ka parë të akuzuarin në Kukës, dhe kjo nuk është e rëndësishme për këtë çështje”, ka thënë Foglia.
Ndërsa kur ka folur për dëshmitarin me kodin 2517, seanca është transmetuar me përmbajtje të redaktuar.
“Ju udhëzojmë të dorëzoni një listë të përditësuar të dëshmitarëve deri të martën me datë 29 gusht 2023. Gjithashtu ju kërkojmë që të dorëzoni në dokumentacionin e çështjes, deri në të njëjtën datë, përmbledhje të rishikuar të dëshmitarëve të dërguar përmes postës elektronike dje. Mbrojtja ka thënë se i duhen 48.5 për marrje në pyetje të dëshmitarëve të saj, pas heqjes nga lista e dëshmitarëve të pesë dëshmitarëve për të cilët folëm më sipër trupi gjykues konstaton se është e përshtatshme të jepen 40.5 orë për mbrojtjen për paraqitjen e provave të veta”, ka thënë ajo.
Kryegjykatësja ka bërë të ditur se seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore do të mbahet më 18 shtator ku do të fillojë paraqitja e provave nga mbrojtja e Pjetër Shalës.
E në këtë konferencë ka marrë pjesë përmes videolidhjes nga qendra e paraburgimit në Hagë ku po qëndron prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.