UBT News

Mbreti jordanez paralajmëron për “pasojat katastrofike” të luftës në Gaza dhe i bën thirrje Blinkenit të kërkojë armëpushim

Mbreti Abdullah II i Jordanisë paralajmëroi sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për “pasojat katastrofike të luftës së vazhdueshme në Gaza” dhe bëri thirrje që t’i jepet fundi krizës së tmerrshme humanitare” në enklavë.

Mbreti Abdullah II “ritheksoi rolin e SHBA-së në ushtrimin e presionit për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza” dhe sigurimin e “shpërndarjes adekuate dhe të qëndrueshme të ndihmave humanitare dhe mjekësore” në Gaza.

Ai tha se stabiliteti rajonal mund të arrihet vetëm përmes “një zgjidhjeje të drejtë të çështjes palestineze” dhe një “paqeje gjithëpërfshirëse të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”.

Mbreti theksoi gjithashtu se dhuna e kryer nga kolonët ekstremistë në Bregun Perëndimor duhet të ndalet përpara se të çojë “në një shpërthim në rajon”.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Miller, falënderoi Mbretin për “rolin dhe udhëheqjen e Jordanisë në ofrimin e ndihmës shpëtimtare për civilët palestinezë në Gaza”.

“Të dy ranë dakord të vazhdojnë koordinimin e ngushtë për ndihmën e qëndrueshme humanitare”, thuhej në deklaratën e Departamentit të Shtetit./UBTNews/

Exit mobile version