UBT News

Mbretëria e Bashkuar regjistron verën më të nxehtë të historisë

Mbretëria e Bashkuar përjetoi këtë vit verën më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve meteorologjike, një fenomen që ekspertët e lidhin drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike.

Sipas Zyrës Meteorologjike (Met Office), kjo ngjarje është bërë 70 herë më e mundshme për shkak të ngrohjes globale. Temperaturat mesatare për periudhën 1 qershor-31 gusht 2025 u regjistruan 16.10°C, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 15.76°C, i vendosur më 2018.

Edhe pse diferenca mund të duket e vogël, kur konsiderohet si një mesatare tre mujore që përfshin temperaturat ditore dhe ato të natës, kjo shifër tregon një ndryshim të ndjeshëm klimatik.

Fenomeni nuk është vetëm rekord i ri; ai theu edhe temperaturat e verës 1976, e cila renditet e gjashta në listën e verave më të nxehta që nga viti 1884. Nxehtësia e vazhdueshme solli mungesa uji në nivel kombëtar, duke ndikuar në bujqësi, ujitje e jetën e përditshme të qytetarëve.

Dr. Mark McCarthy nga Met Office thekson se ngjarje të tilla, dikur të konsideruara ekstreme, tani po bëhen më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike.

Ai paralajmëron se verat e nxehta dhe fenomenet ekstreme mund të shfaqen gjithnjë e më shpesh në dekadat e ardhshme, duke e bërë të domosdoshme marrjen e masave për adaptimin dhe uljen e ndikimit të ngrohjes globale.

Exit mobile version