UBT News

Mbretëria e Bashkuar do të mbështesë prioritetet e Qeverisë Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar një letër urimi nga homologu i tij britanik, Boris Johnson. Ky i fundit në letrën dërguar Kurtit u zotua se Mbretëria e Bashkuar do ta mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit euroatlantik si dhe në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në vazhdim të letrës, kryeministri Johnson shpreh vullnetin për të punuar së bashku me kryeministrin Kurti, për të ndihmuar në sigurimin e stabilitetit e prosperitetit për Kosovën dhe të rajonit. Ai thekson se mirëpret dhe mbështet prioritetet e përcaktuara nga qeveria për fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në përmbyllje të urimit, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar shpreson që rezultati historik nga zgjedhjet e 14 shkurtit do të ofrojë mundësi të reja për Kosovën për progres në dialogun me Serbinë. Ai rithekson se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të ofrojë asistencë teknike për të mbështetur kryeministrin Kurti në programin ambicioz të reformave./UBTNews

Exit mobile version