Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë e Mbretërisë së Bashkuar dhe liderja e Komonuelthit për gati 71 vjet, ka refuzuar një nga nderimet më të mëdha ndërkombëtare, Çmimin Nobel për Paqen, gjatë mbretërimit të saj. Ky detaj u zbulua nga një oborrtar i lartë, që ndau një sekret të panjohur deri më tani për publikun.
Sipas raportimeve të Daily Mail, burimi i brendshëm tha se Mbretëresha “nuk e donte nderin” e një çmimi kaq të rëndësishëm. Edhe pse ishte nderuar gjatë gjithë karrierës së saj me shumë çmime për shërbimin e palodhur publik dhe angazhimin e saj për paqen dhe stabilitetin global, ajo kishte refuzuar një prej nderimeve më prestigjioze që mund të merrej, Çmimin Nobel për Paqen.
Misteri i refuzimit të çmimit ende mbetet i paqartë, por një fjalim i njohur i Mbretëreshës Elizabeth nga rinia e saj mund të ofrojë disa shpjegime. Kur ishte vetëm 21 vjeç, në vitin 1947, ajo tha: “Unë deklaroj para jush se e gjithë jeta ime, qoftë e gjatë apo e shkurtër, do t’i kushtohet shërbimit ndaj jush.” Ky angazhim i thellë për shërbimin dhe dedikimi për popullin e saj mund të jetë një indikacion i qëndrimit të saj të rezervuar ndaj çmimeve dhe nderimeve personale.
Mbretëresha Elizabeth, e cila u nda nga jeta më 8 shtator 2022, la një trashëgimi të pasur dhe një influencë të jashtëzakonshme në historinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Komonuelthit. Refuzimi i saj i Çmimit Nobel për Paqen është një tjetër shembull i përvujtërisë dhe përkushtimit të saj të pashoq ndaj shërbimit publik./UBTNews/