Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të zhvillojë sot mbledhjen e radhës, në të cilën do të shqyrtohen një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara të mbahen më 28 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se një nga pikat kryesore të rendit të ditës është vendimmarrja për rekomandimin e certifikimit të kandidatëve të subjekteve politike që tashmë janë certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
Përveç kësaj, KQZ pritet të shqyrtojë edhe certifikimin e listës së votuesve brenda dhe jashtë Kosovës, një proces kyç për mirëorganizimin e votimit të 28 dhjetorit. Në mbledhje do të trajtohet gjithashtu rekomandimi për përcaktimin e qendrave të votimit dhe numrin e vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, çka është veçanërisht e rëndësishme për diasporën.
Vendimet që pritet të merren sot do të ndikojnë drejtpërdrejt në përgatitjet finale të administrimit të zgjedhjeve, të cilat ndodhen tashmë në fazën përfundimtare.
