UBT News

Mblidhet Kryesia e Kuvendit, këto janë pikat e rendit të ditës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet për takim në orën 11:00.

Në rend dite është pika e papërfunduar nga seanca plenare e 22 dhe 28 korrikut 2021 për votimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të ndërmarrjes Hortikultura për vitin 2020.

Pika e dytë e rendit të ditë ka të bëjë me pikat e papërfunduara nga seancat plenare më 16, 19, 21, 28 korrik dhe 6 gusht 2021, për votimin e Projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime, për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10, votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet MASHTI-t dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+), votimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni.

Kryesia e Kuvendit për shqyrtim do të ketë edhe pikën e papërfunduar nga seanca plenare e datës 19 tetor 2021, për votimin e raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për 2020, pikat e papërfunduara nga seancat plenare, 18, 19, 22 dhe 23 nëntor 2021, për votimin e raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për 2020, votimi i raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për 2020, votimi i raportit vjetor të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për 2020, votimi i raportit vjetor Financiar të Buxhetit të Kosovës për 2020, votimi i raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për 2020, shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS”, votimi për emërimin e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit të Organin Shqyrtues të Prokurimit, votimi për përzgjedhjen e një kandidati për anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore, si dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Kryesia e Kuvendit pritet të caktojë edhe datën për seancën e re plenare, ku në rend dite janë këto pika:

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Zvicrës përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Agjencisë Zviceranë për Zhvillim dhe Bashkëpunim mbi programin Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në Kosovë,
4. Propozimi i dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese,
5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Pijet e forta alkoolike,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit
për mbeturina,
8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural,
9. Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2022,
10. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020.

Exit mobile version