UBT News

​Mblidhen nënshkrimet për shkarkimin e kryetarëve në veri, ende nuk u janë dorëzuar kryesuesve

Ka përfunduar nënshkrimi i peticioneve për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore të vendit, të banuara me popullatë shumicë serbe.

Sanja Kërtiniq, ka konfirmuar se nënshkrimi i peticionit në Komunën e Mitrovicës Veriore ka përfunduar të premten. Sipas saj, numri i nënshkrimeve të nevojshme është arritur brenda tre ditëve, përkatësisht nga 16 deri më 18 janar. Ajo nuk ka precizuar numrin e saktë të nënshkrimeve, por tha se ka më shumë sesa është e nevojshme.

“Falënderoj qytetarët të cilët gjatë tre ditëve dolën masovikisht për të nënshkruar peticionin. Jam e bindur se është tejkaluar numri i nevojshëm që është 3 mijë e 640”, ka thënë Kërtiniq.

Edhe në komunën e Leposaviqit ka përfunduar nënshkrimi i peticionit të shtunën, ndërsa sot anëtarët e grupeve inicuese, kanë konfirmuar përfundimin e peticionit edhe në Zveçan e Zubin Potok. Në anën tjetër, grupet inicuese obligohen që këto nënshkrime t’i dorëzojnë sot tek kryesuesit e Kuvendeve Komunale.

Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, ka thënë se deri në këto momente kur po raportojmë, nuk ka pranuar peticionin me nënshkrime.

“Deri tani nuk kam pranuar asgjë. Pres që ndoshta deri në ora 16:00 të ndodhë kjo”, ka thënë ai shkurt.

Ndryshe, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3 mijë e 640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të Komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18 mijë e 199 persona me të drejtë vote.

Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13 mijë e 441 persona, që do të thotë se të paktën 2 mijë e 689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1 mijë e 347 votues, që është 20 përqind nga 6 mijë e 732 të votuesve të regjistruar.

Ndërsa në Zveçan. që peticioni të jetë i suksesshëm, duhet të nënshkruhet nga së paku 1 mijë e 411 persona.

Exit mobile version