Nën drejtimin e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, zhvillohet sot Konferenca e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit. Këtë e bëri të ditur të hënën në Berlin, zëvendës zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse. Konferenca ka për qëllim të parapërgatisë samitin e ardhshëm të krerëve të qeverive, i cili do të zhvillohet nën drejtimin e kancelares Angela Merkel në fillim të korrikut.
Sipas Sasses, veç ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, aty marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të disa vendeve anëtare të BE-së, si edhe Komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi,
Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014. Ai ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.
Pas Gjermanisë, si nismëtare, organizatorë të samitit kanë qenë deri tani Austria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Polonia dhe Bullgari/Maqedonia. Një nga arritjet e deritanishme të procesit të Berlinit është miratimi i planit për tregun e përbashkët rajonal dhe afrimi i të rinjve nëpërmjet zyrës rajonale të bashkëpunimit të të rinjve