Në Kuvendin e Kosovës sot do të mblidhen gjashtë komisione parlamentare. Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinorë dhe Infrastrukturë dhe Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim, janë këto gjashtë komisionet parlamentare që do të mblidhen sot.
Fillimisht, në ora 10:00 do të mblidhet Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku edhe do të raportojë Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla – Schwarz.
Po ashtu në ora 10:00, do të mblidhet edhe Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal. Në rend të ditës ky komisioni ka shqyrtim e draft-planit të punës së Komisionit për vitin 2021 dhe shqyrtimin e raportit vjetor të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2020-të.
Në orën 10:00 do të mblidhet edhe Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. Në rend dite ky komision ka shqyrtimin e vendimit të Qeverisë për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare-ARKEP. Po ashtu rend dite është edhe Formimi i panelit për zhvillimin e procesit të intervistimit për zgjedhjen e drejtorit të Autoritetit Rregullator për shërbimet e ujit dhe kryesuesit të komisionit shqyrtues në autoritetin rregullator për shërbimet e ujit. Gjithashtu komisioni do të shqyrtoj edhe raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit-AKP për vitin 2020.
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Rini dhe Sport do të mblidhet në ora 11:00, e që në rend të ditës do të ketë shqyrtimin e planit të punës së komisionit për vitin 2021, shqyrtimin e raportit vjetor të Punës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi kulturore për vitin 2020 dhe shqyrtimi i listës së kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë do të mblidhet në ora 13:00. Anëtarët e këtij komisioni do të takojnë Drejtorin e Agjencisë për shërbimin e navigimit ajror. Po ashtu do të kenë takim edhe me drejtorin e agjencisë (AShNA) dhe drejtorin e AAC.
Ndërsa në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim që do të mblidhet në ora 13:00 do të shqyrtohet dhe miratohet draft plani i punës së këtij komisioni për vitin 2021.