Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë, të dielën, më 27 nëntor 2022, në orën 10:00, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë në Tiranë, do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Në këtë mbledhje, deputetëve do t’iu adresohen kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Mbledhja do të vijojë me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe fjalimin e kryeministrit, Albin Kurti.
Nga një fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Në shënim të këtij përvjetori do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore.