Mbikëqyrësi britanik i të dhënave njoftoi të martën se e ka gjobitur TikTok-un me 15.9 milionë dollarë për shkeljen e ligjit për mbrojtjen e të dhënave, përfshirë përdorimin e të dhënave personale të fëmijëve nën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve.
Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO) vlerësoi se TikTok ua mundësoi deri në 1.4 milion fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar nën moshën 13-vjeçare që të përdorin platformën e saj në vitin 2020, edhe pse mosha 13 vjeç konsiderohet moshë minimale për të krijuar një llogari.
ICO tha se shkeljet e të dhënave ndodhën midis majit të vitit 2018 dhe korrikut të vitit 2020, dhe TikTok nuk ka bërë mjaftueshëm për të kontrolluar se kush po e përdor platformën dhe për të fshirë llogaritë e fëmijëve të mitur.
“Ka ligje në fuqi për t’u siguruar që fëmijët tanë të jenë po aq të sigurt në botën digjitale sa janë në botën fizike. TikTok nuk iu përmbajt atyre ligjeve”, tha Komisioneri i Informacionit në Mbretërinë e Bashkuar, John Edwards./UBTNews/