Deri më 13 tetor të këtij viti, në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë pranuar mbi 7 mijë e 200 kërkesa për regjistrim për votim jashtë vendit, prej të cilave janë aprovuar mbi 6 mijë e 600, ndërsa 593 të tjera janë refuzuar.
Në mbledhjen e sotshme të KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala ka thënë se në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar, duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.
“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 13 tetor 2024, në orën 10:00, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar 7,227 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 6,634, ndërsa 593 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, ka thënë Buzhala.
Ndërsa, për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, deri më tani janë pranuar 892 kërkesa për ndërrim të qendrës.
Buzhala, ka shtuar se prej tyre, janë aprovuar 866 kërkesa, ndërsa 26 të tjera janë refuzuar.
“Gjithashtu, është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 13 tetor 2024, në orën 10:00, janë pranuar 892 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit (703 përmes platformës elektronike të KQZ-së dhe 189 në zyrat e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve) prej të cilave janë aprovuar 866 kërkesa, ndërsa 26 të tjera janë refuzuar”, ka shtuar ai.