Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar se së shpejti do të dalin me vendime për masa të reja për Kosovën në përgjithësi, si dhe për Prishtinën në veçanti.
“Dy javët e fundit, Prishtina ka qenë epiqendra e infeksionit në vendin tonë. Ky fakt shqetësues na detyron që shumë shpejtë të dalim me vendime për masa të reja për Kosovën në përgjithësi, por për Prishtinën në veçanti. Mbi 700 raste të reja me infeksion gjatë 14 ditëve të fundit, në kryeqytet, situatë kjo që kërkon mobilizim maksimal të të gjithëve për të zbatuar në përpikëri dhe me rigorozitet vendimet e Qeverisë”, shkroi Zemaj në Facebook.
Ministri njoftoi se ka kërkuar nga kreu i Prishtinës që bashkë me shtabet emergjente dhe task forcën, të kenë vëmendje të shtuar në shkolla, transportin publik, gastronomi dhe kudo që shfaqet rreziku nga virusi COVID-19.
“Kërkova të zbatohen rreptësishtë rekomandimet si mbajtja e distancës fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, për të pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit në hapësirat e mbyllura. Prishtina është kryeqytet i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, por assesi nuk mund të lejojmë të jetë vatër e infeksionit”, shkroi më tej Zemaj në Facebook./UBTNews