Asociacioni i Komunave të Kosovës po mban takimin me drejtorët komunalë të arsimit, për të diskutuar për situatën me pandeminë në shkolla. Numri i madh i mësimdhënësve të infektuar dhe zëvendësimi tyre është një nga sfidat në nivel vendi. Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi tha se situata është duke u përkeqësuar.
“Mbi 70 shkolla janë duke vijuar mësimin ‘online’. Situata është duke u përkeqësuar. Të kemi rekomandime për tejkalimin e mundshëm. Në vendet urbane dallon shumë me ato rurale. Reforma në arsim duhet të fillojë nga komunat. Do të kemi një takim me Ministrinë e Arsimit për reformat në arsim”, ka thënë ai.
Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Samir Shahini tha se tri shkolla në këtë komunë kanë kaluar në mësim ‘online’. Përveç kësaj sfide, ai u shpreh se kanë një numër të madh të mësimdhënësve të cilët janë jashtë listës së pagave.
“Mbi 250 nxënës aktualisht janë të infektuar dhe mbi 20 mësimdhënës të infektuar në nivel komune. Kemi numër të madh të mësimdhënësve që janë jashtë listës së pagave. 53 mësimdhënës janë jashtë listës së pagave”, tha ai.
Drejtoresha e Arsimit në komunën e Vitisë, Fatbardha Emini u shpreh se deri më tani janë testuar mbi 1500 nxënës. Sipas saj, më mirë do të ishte të zëvendësohet pushimi pranveror.
“Virusi është i pranishëm sidomos në lokalitete ku ka numër më të madh të nxënësve. Tani më procedurat e rekrutimit të mësimdhënësve zhvillohet me Ligjin për Zyrtarët Publik që minimumi i konkursit publik është 45 ditë. Duhet me qenë të koordinuar që të paktën procedurat e rekrutimit me qenë të njëjtat në të gjitha komunat. Sepse diku është konkursi gjashtë ditë, diku 45 ditë. Të zvogëlohet afati i rekrutimit kur ka raste të sëmundjeve”, tha ajo.
Edhe drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani tha se në këtë komunë çdo ditë e më shumë po përkeqësohet situata me pandeminë.
“Momentalisht 98 mësimdhënës i kemi të infektuar, 437 nxënës, 11 personel tjetër dhe për momentin nëntë shkolla i kemi në mësim ‘online’. Dilemat janë se a të kalojmë në mësim ‘online’ dhe është një situatë se duhet të dimë në fund se çfarë do të bëjmë. Në Ferizaj çdo ditë me keq po shkojmë, ta shohim sot dhe nesër si po veprojmë”, tha ai.