UBT News

Mbi 70 mijë hektarë me grurë, propozohet që çmimi i korrje-shirjeve të jetë 130 euro

Këtë verë pritet të korren mbi 70 mijë hektarë me kulturën e grurit në Kosovë, ndërsa është propozuar që çmimi i korrje-shirjeve të jetë 130 euro për një hektar.

Në takimin ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë, komunave dhe të atyre të Shoqatës së Mullistëve është diskutua për parapërgatitjet për fillimin e procesit të korrje-shirjeve të drithërave të bardha, si dhe mbarëvajtjen e këtij procesi sa i përket vitit 2023.

Gjatë këtij takimi, palët e përfshira në këtë proces janë pajtuar që të mos fillohet me korrje shirjet para pjekjes se plotë të grurit, e krahas kësaj edhe drejtoritë Komunale për Bujqësi të raportojnë në MBPZHR, gjegjësisht tek Komisioni qendror për monitorimin e korrje-shirjeve për vitin 2023, të paktën një herë brenda javës lidhur me ecurinë e korrje-shirjeve në komunat e tyre.

Me këtë rast, bazuar në çmimin aktual të derivateve të naftës, pjesëve rezervë të autokombajnave, si dhe gjendjes së zhvillimit të grunajave, MBPZHR-ja, përfaqësuesit e DKB-ve dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve, sugjerojnë dhe propozojnë se çmimi real i korrje-shirjeve për vitin 2023 do të ishte 130 euro për një hektarë (nënkuptohet se çmimi i korrje-shirjeve caktohet me marrëveshjen në mes të fermerëve dhe autokombajnerëve).

“Në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në kuadër të mbjelljeve vjeshtore të vitit 2022 me kulturën e grurit është mbjellë një sipërfaqe prej 71,008.20 hektarë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë. 

Exit mobile version