UBT News

Dasmat me pemë

Më shumë se 70 gra në Mbretërinë e Bashkuar janë “martuar” me pemë në formë proteste kundër shpyllëzimit të tyre.

Ceremonia e martesës u planifikua nga aktivistë të mjedisit në përgjigje të një kërkese për të prerë 74 pemë dhe për të ndërtuar 166 apartamente në Bristol.

Edhe pse martesa nuk njihet ligjërisht, gratë janë të sigurta se do të ndikojë në luftën për të ruajtur mjedisin.

“Të martohesh me një pemë është një privilegj absolut. Nuk është vetëm një gjest sentimental, është shumë domethënës dhe simbolik,” – u shpreh aktivistja dhe nusja Suzan Hackett, e cila jeton në atë zonë.

Në vitin 2020 Mbretëria e Bashkuar humbi 4.150 hektarë pyje, pikërisht për t’i hapur rrugën ndërtimeve private.

Dasmat me pemë, simbolikë e mbrojtjes së mjedisit udhëhequr nga gratë

Ideja e martesës me pemë është parë me skepticizëm nga një pjesë e njerëzve që kanë dëgjuar për ngjarjen.

“Unë me të vërtetë nuk dua të jem më pjesë e kësaj bote. A ka ndonjë planet normal përreth ku mund të shkoj?” – shkroi një përdorues i Twitter.

Në fakt lidhja e grave me pemë në mbrojtje të mjedisit, është e frymëzuar nga histori të vjetra.

Në 1970, aktivistet e grupit “Chipko” “përqafuan” pemët për të mbrojtur pyjet nga prerjet.

Gjesti krijoi një precedent për aktivizmin e ardhshëm të ruajtjes së pemëve.

Kohët e fundit, një grup grash në San Jacinto Amilpas, Meksikë, mbajtën një ceremoni martese masive për të rritur ndërgjegjësimin për prerjet ilegale të pyjeve në zonë.

Exit mobile version