UBT News

Mbi 66 mijë lëndë presin zgjidhje në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë për tre muajt e parë të këtij viti ka pranuar 5308 lëndë të reja dhe ka përfunduar gjithsej janë 3903 lëndë. Megjithatë, janë mbi 66 mijë lëndë që presin zgjidhje.

Kështu ka thënë kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani-Rama gjatë prezantimit të raportit tremujor të punës së kësaj gjykate, të organizuar nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional (CLARD) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Shabani-Rama gjatë kësaj konference tha se veprimet e marra nga viti i kaluar kanë prodhuar efekt pozitiv në veprimtarinë e saj, duke sjellë rritje të cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e numrit të zgjidhjes së rasteve të tjera.

“Gjatë këtij tremujori gjykata ka arritur standardin e përfundimit të çështjeve duke arritur në një normë prej 74 përqind dhe kjo është një tregues relativisht i mirë i përformancës së gjykatës, edhe pse synimi ynë është që të mbërrijmë mbi 100 përqind. Megjithatë përtej numrit të çështjeve që janë duke shqyrtuar dhe po përfundojnë, gjyqtarët veçanërisht janë të fokusuar te cilësia e vendimmarrjes sepse në fund të fundit, zbatimi i drejtësisë materializohet tek vendimet dhe te zbatimi i drejt i drejt i ligjit. Vinin e fundit fokusi i gjykatës tonë ka qenë ulja e numrit të lëndëve të mbetura të cilat kanë mbetur ndër vite. Kjo ishte dhe po mbetet sfida kryesore e gjykatës. Nga viti 2022 nga Gjykata Themelore e Prishtinës, janë bartur në këtë vit gjithsej 65.410 dosje gjyqësore të papërfunduara. Ndërsa, së bashku me degë ka trashëguar për këtë vit 82.339 dosje gjyqësore. Ndërkohë që numri i lëndëve të përfunduara në vitin 2022 ka qenë 33299“, tha ajo.

Ajo shtoi se gjatë këtij viti ardhja e numrit të lëndëve të reja është gjithmonë në rritje.

“Kemi pas diku deri në 31 mars, lëndë të regjistruara të ardhura 5308 lëndë të reja po flas për të gjitha nivelet. Ndërsa, janë përfunduar 3903 lëndë. E nëse bëjmë një statistikë se sa lëndë janë zgjedhur deri më 1 prill 2023, në Gjykatën Themelore pa degë, do të thotë janë mbi 66 mijë lëndë që presin zgjidhje”, tha ajo.

Ajo foli edhe për lëndët në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Sa i përket lëndëve penale e krimeve të rënda 25 kanë arritur dhe janë zgjidhur 121, penale për të mitur 98 janë zgjidhur dhe kanë arritur 106, civile 3163 të arritura, 2107 të zgjidhura dhe administrative 737 kanë arritu, 584 janë zgjedhur. Do të thotë në total në të gjitha lëmitë kanë arrit 5308 ,ndërsa, janë zgjidhur 3903. Numri shumë i madh vazhdon të arrijë edhe në kundërvajtje”, tha ajo.

Sipas saj, sfidë mbetet numri i madh i lëndëve dhe numri i vogël i gjyqtarëve, megjithatë, theksoi se këtë vit presin përmirësime pasi kësaj gjykate do t’i shtohen edhe 15 gjyqtarë të rinj.

“Gjithashtu presim që shumë shpejt ta funksionalizojmë degën e gjykatës në Fushë Kosovë, e cila do të ketë kompetencë territoriale për komunën e Fushë Kosovën dhe Obiliqin dhe njëkohësisht presim që do të bartën disa dosje gjyqësore”, tha ajo.

Ajo shtoi se lëndët e Gjykatës Komerciale nuk janë përfshirë në raportin tremujor. Derisa theksoi se njoftimi për orarin e seancave është prioritet dhe se së shpejti pritet që këto njoftime të jenë të rregulla.

Shabani-Rama është pyetur edhe për shkeljet që kanë bërë gjyqtarët

“Për vitin e kaluar nuk i kam marrë statistikat por deri tash unë i kam parashtruar dy kërkesa në Këshillin Gjyqësor për shkelje të procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve”, tha ajo./UBTNews/

Exit mobile version