Mbi 100 propozime të reja janë dorëzuar sot për listën e barnave esenciale, me ç’rast, 68 prej tyre janë pranuar. Produktet e reja të përfshira në këtë listë janë për të gjitha sëmundjet e organeve të trupit, por edhe atyre që janë rralla. Kështu u tha në diskutimin publik lidhur me listën e re të barnave esenciale, që veç tjerash, pati kritika për monopol.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se lista e barnave esenciale ngjason me atë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh).
“Lista e barnave esenciale paraqet një listë të nevojave esenciale të barnave bazike të sistemit shëndetësor, efikase, të sigurta, por natyrisht edhe kos-efektive. Duke parë nevojat e shumta të pacientëve me rritjen e buxhetit këtë vit për barna dhe pajisje dhe materiale shpenzuese për sistemin shëndetësor në Kosovë në afro 60 milionë euro dhe për grupin kishim mundësi që të bëjmë plotësimet dhe ndryshimet përkatëse ashtu që, sa më shumë pacientë të përfitojnë nga barnat e reja që do t’i shtohen kësaj liste. Komiteti profesional është në përbërje të profesionistëve eminent të fushave të ndryshme specialistike, duke përfshirë mjekë dhe farmacistë”, tha Vitia.
Kryesuesi i Komitetit për Listën e Barnave Esenciale, Driton Vela u shpreh se puna për revidimin e listës esenciale ka nisur në tetor të vitit të kaluar, për çka janë mbajtur rreth 50 takime.
“Një prej caqeve kryesore të komitetit kyç ka qenë që ta zgjerojmë listën aktuale me produkte të reja. Dhe këtë e kemi bërë, kemi pranuar rreth 130 propozime të reja, ku përfshihen rastet e propozimeve individuale. Nga to, 68 propozime të reja janë pranuar. Propozimet nuk nënkuptojnë një bari i ri, por, mund të nënkuptojë edhe një bari aktual që është në listë e që është propozuar të jepet ndonjë dozë e re. Në përgjithësi, barnat e reja përfshijnë të gjitha barnat e koncept-dokumentit për sëmundjet e rralla”, u shpreh ai.
Vela shtoi se gama e produkteve të reja përfshin të gjitha sëmundjet e të gjitha organeve të trupit të njeriut.
“Në listën e re kemi barnat e ri për kancer hematologjik, kemi barna të reja për sëmundjet auto-imune, për terapinë imuno-supresive, për diabetin dhe sëmundje të tjera kronologjike, kemi barna të ri për pamjaftueshmërinë e zemrës dhe sëmundje kardiovaskulare, për sëmundjet e mushkërive, infeksione të ndryshme rezistente, kancerët jo-hematologjik, çrregullimet e koagulimit, çrregullime psikiatrike, dëmtime të rënda të të parit, sëmundjet e veshkave, helmimet, terapi të ndryshme të mjekimit intensiv dhe sëmundjet e rralla. Do të thotë gama e produkteve të reja përfshin pothuajse të gjitha sëmundjet e gjitha organeve të trupit të njeriut”, ka shtoi ai.
Kryetari i Shoqatës së Distributorëve të Kosovës, Milaim Abdullahu tha se e kanë marrë me vonesë draftin e listës për barnat esenciale.
“Në bazë të analizës që kemi bërë ne, atëherë del që disa produkte që kanë qenë në listë esenciale me specifika të caktuara, me apo pa qëllim nuk e di, janë eleminuar. Edhe në bazë të dozës të kubikazhit ju ka dhënë monopol disa kompanive”, tha ai.
Kryesuesi i Komitetit për Listën e Barnave Esenciale, Driton Vela ka shtuar se në të ardhmen duhet të bëhet plotësimi i bazës ligjore për listën esenciale dhe të krijohen mekanizma të kontrollit të zbatimit të saj.