Evropa u përball me një nga vitet më të rënda të saj në aspektin e shëndetit publik, me mbi 47,000 persona që humbën jetën për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta gjatë vitit 2023. Raporti tronditës, i publikuar nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global (ISGlobal) të hënën, nxjerr në pah pasojat e ngrohjes globale në një kontinent që po ngrohet me shpejtësi alarmante.
Sipas raportit, viti 2023 u shënua si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, duke bërë që popullata evropiane të përballet me rreziqe të reja për shëndetin. Vendet e Evropës Jugore, përfshirë Greqinë, Bullgarinë, Italinë dhe Spanjën, pësuan pasojat më të rënda, me shkallë të larta të vdekshmërisë të lidhura drejtpërdrejt me temperaturat e larta.
Në vitin 2022, numri i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë arriti në 60,000, duke e bërë vitin e kaluar një përmirësim në krahasim me këtë shifër, por sërish të lartë dhe shqetësuese. Raporti vëren se pa masat e ndërmarra gjatë dy dekadave të fundit, numri i vdekjeve në vitin 2023 do të kishte qenë 80% më i lartë. Këto masa përfshijnë sistemet e paralajmërimit të hershëm, përmirësimet në kujdesin shëndetësor dhe iniciativa të tjera për të ndihmuar popullatën të përshtatet me temperaturat në rritje.
Elisa Gallo, studiuese në ISGlobal dhe autore e studimit, deklaroi: “Përfundimet tona tregojnë se gjatë këtij shekulli janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm që kanë mundësuar përshtatjen e shoqërisë me temperaturat e larta, duke reduktuar në mënyrë dramatike pasojat e nxehtësisë dhe shkallën e vdekshmërisë, veçanërisht mes të moshuarve.”
Studiuesit analizuan të dhënat e vdekjeve dhe temperaturës nga 35 vende të ndryshme evropiane, duke vlerësuar se 47,690 vdekje ndodhën si pasojë e temperaturave të larta. Greqia, Bullgaria, Italia dhe Spanja, sipas raportit, përballen me shkallën më të lartë të vdekshmërisë nga nxehtësia, duke ngritur shqetësime për mënyrat se si këto vende dhe gjithë Evropa do të përballen me valët e nxehtësisë në të ardhmen./UBTNews/