Mbi 464 mijë euro nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar për mbështetjen financiare për avokatët për mbrojtjen e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuar me seli në Hagë. Në Ministrinë e Drejtësisë në fund të vitit të kaluar janë shqyrtuar katër kërkesa të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari i cili tha se pas shqyrtimit të këtyre kërkesave ato janë aprovuar pasi i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara me ligj.
Duke mos dhënë detaje se për kë bëhet fjalë, Bajraktari tha se ekzekutimi i fundit i mjeteve ka ndodhur javën që shkoi.
“Janë shqyrtuar kërkesat dhe është konstatuar se i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj dhe udhëzimin administrativ dhe në rrjedh të kësaj ka aprovuar të njëjtat dhe unë tash mund të konfirmoj në emër të ministrisë se është bërë ekzekutimi i mjeteve financiare për katër kërkesat e aprovuara nga ana e komisionit. Shuma totale e mjeteve të ekzekutuara për avokatët mbrojtës është 464 mijë e 600 euro. Ekzekutimi i fundit i pagesës ka ndodhur javën që shkoi”, theksoi Bajraktari.
Bajraktari tha se kërkesat për pagesa kryesisht janë bërë për aktivitetet e avokatëve mbrojtës për pjesëmarrje në seanca gjyqësore, këshillime e të tjera.
Ndërsa, theksoi se buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2021 për këtë çështje është 17 milionë euro.
“Avokatët kanë parashtruar kërkesat e tyre për aktivitetet që i kanë si pjesëmarrja në seanca, këshillimi e të gjitha këto dhe në rrjedh të kësaj pas aprovimit të këtyre kërkesave të njëjtat janë bartur në llogaritë përkatëse të avokatëve sipas kërkesave, natyrisht në pajtim me legjislacionin në fuqi për menaxhim e financave publike. Për vitin 2021 buxheti është i paraparë me Ligjin mbi ndarjet buxhetore për këtë vit dhe është gjithsej 17 milionë euro”, u shpreh Bajraktari.
Ardian Bajraktari, i cili është edhe udhëheqës i komisionit vlerësuese të këtyre kërkesave, tha se në fund të vitit të kaluar si komision i kanë shqyrtuar katër kërkesat e arritura nga pala mbrojtëse e të akuzuarve nga Gjykata Speciale.
“Ministria e Drejtësisë i ka përmbushur të gjitha obligimet që ndërlidhen me mbështetjen juridike dhe financiare të personave të akuzuar potencialë nga Dhomat e Specializuara. Prej momentit kur është kompletuar infrastruktura ligjore dhe është themeluar Komisioni me vendim të ministrit, ne kemi pasur gjithsej 4 kërkesa të parashtruara nga ana e avokatëve mbrojtës të cilët pas vlerësimit nga ana e njësisë përkatëse, nga ana e ministrisë, meqë është konstatuar se i plotësojnë kriteret formale, të njëjtit i janë proceduar komisionit ku në fundin e vitit që shkoi ka shqyrtuar këto kërkesa”, deklaroi u.d i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë.
Në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale, i miratuar nga Kuvendi Kosovës në vitin 2015, ku thuhet se “ata kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur”. Ligji u garanton mbulimin e shpenzimeve për avokatë personave të akuzuar.
Deri më tash, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë konfirmuar aktakuza kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës dhe një aktakuzë e përbashkët ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime të supozuara kundër njerëzimit.Ndërsa ndaj udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për “pengim të drejtësisë”.