Mbi 430 kadetë sot i janë bashkuar Policisë së Kosovës, në mesin e tyre edhe 53 gra. Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratë së 57-të, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se pjesëmarrja e grave në polici është një investim i duhur për gjithë shoqërinë.
“Dua të ju shpreh mirëseardhje në këtë rrugëtim të ri në shërbim të qytetarëve. Faleminderit për veprimin tuaj për t’i shërbyer shtetit. Policia buron nga qytetarët. Ju keni zgjedhur një profesion që kërkon përkushtim. Integriteti, profesionalizmi, respekti dhe paanshmëria ju duhet të veproni gjithnjë në përputhje me këto vlera. Si polici nga ju pritet që të jeni qytetarë model. Ju jeni ata që betoheni dhe garantoni që gjithë qytetarët do të ndjehen të sigurt”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se mbrojtja e kufijve duhet të jetë obligim i përhershëm, duke theksuar se të njëjtit kanë dhënë maksimumin edhe në veri.
Kryeministri Albin Kurti ka uruar të gjithë policët e rinj, duke thënë se po forcohen radhët e shtetit.
“Për qeverinë tonë mbrojtja dhe siguria e vendit janë prioritet. Vetëm gjatë vitit të kaluar u realizuan 854 aksione kundër kontrabandës e korrupsionit. I shkatërruam 69 grupe kriminale. U konfiskuan 1.8 ton substanca narkotike. Dje, atje Policia e Kosovës janë shlatërruar tre laboratorë droge. Policia e Kosovës qëndron e palëkundur, ndryshimin dhe avancimin e saj e ndjejmë. Kolegët tuaj, zyrtarët policor kanë treguar se nuk bëjnë kompromis me kontrabandën dhe krimin”, ka thënë Kurti.