Një ushtri policësh të trajnuar posaçërisht do të merret me trazirat, njoftoi kryeministri britanik Keir Starmer pas takimit urgjent të sotëm me ministrat dhe shefat e policisë.
Starmer thotë se policia do të marrë një “ushtri oficerësh specialistë” për të shuar trazirat.
Gjykatat penale gjithashtu do të “përforcohen”, shtoi ai dhe bëri thirrje për identifikimin sa më të shpejtë të atyre që ishin përfshirë në ditët e trazirave që filluan në Southport të martën e kaluar – një ditë pasi tre vajza u vranë në një sulm me thikë.
Në internet u përhap lajmi se pas sulmit qëndron Ali Al-Shakati, një azilkërkues i supozuar mysliman i cili mbërriti në Britaninë e Madhe me varkë dhe është në listën e vëzhgimit të MI-6. Burimi i atij lajmi, i cili shpejt rezultoi i rremë, por u përhap edhe më shpejt në internet, ishte portali i panjohur kanali3now, i lidhur me Rusinë.
Kryeministri britanik tha gjithashtu se krimi në internet trajtohet po aq seriozisht sa krimi jashtë tij.
“Kjo nuk është një protestë – kjo është dhunë e pastër dhe ne nuk do të tolerojmë sulmet ndaj xhamive apo komuniteteve tona myslimane,” tha ai.
Trazirat që shpërthyen të martën, ku përfshiheshin kryesisht disa qindra njerëz, vazhduan në të gjithë Anglinë. Sulmuesit hodhën tulla ndaj policisë, dogjën makinat, plaçkitën dyqane dhe sulmuan xhamitë dhe zyrat e pronarëve aziatikë.
Starmer iu përgjigj edhe akuzave të partisë së djathtë populiste Reform UK se policia britanike vepron më ashpër në rastin e protestave të krahut të djathtë.
“Nuk ka një gjë të tillë. Ka një forcë policore që është objektive dhe nuk i frikësohet askujt, ashtu siç duhet. Policia vepron ashtu siç pritej, nuk ka asnjë problem“, tha ai.
Javën e kaluar, trazirat shpërthyen në qytete dhe qyteza më të vogla pasi tre vajza u vranë në një sulm me thikë në Southport, Anglia veriperëndimore dhe 420 persona janë arrestuar deri më tani.