Mbi 400 mijë raste të vdekjes nga COVID-19 janë shënuar që nga fillimi i pandemisë në Indi. Ekspertët paralajmërojnë se numri i rasteve të vdekjes mund të jetë edhe më i madh, meqë sipas tyre disa raste nuk janë regjistruar zyrtarisht.
India është vendi i tretë në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Brazilit për nga numri i vdekjeve. Ndërkaq numri i rasteve me COVID-19 është 30 milionë – vendi i dytë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Të premten, Qeveria federale dërgoi një grup ekspertësh në gjashtë shtete – Kerala, Arunachal Pradesh, Tripura, Odisha, Chhattisgarh and Manipur – që po përballen me rritje të rasteve. Ata do ta monitorojnë situatën dhe programin e vaksinimit në këto shtete.
Më pak se 5% e popullsisë së shtetit është vaksinuar plotësisht që nga fillimi i programit të vaksinimit në muajin janar.
Qeveria synon të vaksinojë të gjithë indianët deri në fund të këtij viti, por procesi është penguar nga ritmi i ngadaltë, mungesa e dozave dhe hezitimi i qytetarëve për t’u vaksinuar.
Aktualisht në Indi po përdoren dy lloje vaksinash, Covishield dhe Covaxin. Vaksina ruse, Sputnik V është aprovuar po ashtu për përdorim dhe po përdoret në disa doza.
Qeveria tani po mundohet t’i sigurojë edhe disa vaksina, duke shpresuar se do të jenë mirë të përgatitur pas valës së dytë vdekjeprurëse që e pushtoi sistemin e brishtë shëndetësor./UBTNews