Forcat policore evropiane kanë arrestuar 45 persona në një operacion ndërkombëtar që synonte një rrjet të madh të trafikut të kokainës.
Të dyshuarit akuzohen se kanë importuar drogë në porte të ndryshme evropiane nga Amerika Latine duke përdorur aeroplanë mallrash, avionë privatë dhe kontejnerë transporti.
“Mbi 600 oficerë të zbatimit të ligjit, në bashkëpunim të ngushtë me prokurorët dhe oficerët hetues, kryen bastisje kundër anëtarëve të këtij rrjeti në Spanjë dhe Belgjikë”, thuhet në njoftimin e Europol-it.
Bastisjet u zhvilluan në më shumë se 80 vende në të gjithë Evropën, duke përfshirë 49 kërkime rreth Brukselit dhe qytetit të Antwerpen.
Prokuroria federale belge konfirmoi se janë arrestuar 30 persona, ndërsa janë sekuestruar “një sasi e madhe acetoni, disa kilogramë kanabis si dhe veshje të falsifikuara të policisë”.
Të dyshuarit akuzohen për bashkëpunim me qytetarë nga Evropa Jugore, të cilët i përkasin familjeve të krimit në provincën belge të Limburgut.
“Ky rrjet kriminal i nivelit të lartë kishte krijuar një varg ndërmarrjesh në vende të ndryshme për të pastruar fitimet” shtoi Europol.
Shtatë vende – duke përfshirë Belgjikën, Kroacinë, Gjermaninë, Italinë, Holandën dhe Spanjën – u përfshinë në operacion.
Belgjika është bërë një qendër kryesore e trafikut të drogës në Evropë, me mijëra kontejnerë transporti që arrijnë në Antwerp çdo ditë./UBTNews/