UBT News

Mbi 4 mijë automjete me targa ilegale regjistrohen në RKS

Nga data 1 nëntor e deri më sot janë regjistruar në RKS gjithsej mbi 3 mijë e 250 automjete që më parë ishin regjistruar nga autoritetet serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës, si KM, PR etj. Nëse kësaj i shtohen edhe 800 automjete të regjistruara nga vitet paraprake, atëherë numri i përgjithshëm i automjeteve të regjistruara në RKS kap shifrën mbi 4 mijë.

Kështu ka bërë të ditur Veton Elshani, ushtrues detyre i drejtorit të policisë për rajonin e veriut.

Sipas tij, numri i automjeteve që po regjistrohen gjatë afatit të shtyrjes është shumë i vogël, andaj policia nuk sheh arsye që afati të shtyhet, por siç tha ai, nëse qeveria vendos ndryshe, atëherë policia do ta respektojë vendimin.

Ai potencoi se në rast të qarkullimit të ndonjë automjeti me targa ilegale edhe pas 15 dhjetorit, policia do të reagojë menjëherë duke e trajtuar automjetin fillimisht si të paregjistruar, ndërsa herën e dytë policia do t’i konfiskojë ato.

“Nga 1 nëntori e deri më sot janë 3 mijë e 250 (automjete të regjistruara me targa RKS) dhe nëse i shtojmë edhe 800 (automjete të regjistruara) nga vitet paraprake, atëherë ky numër është mbi 4 mijë… Ne nuk shohim arsye që të ketë shtyrje tjetër të afatit si Polici e Kosovës, sidoqoftë vendimi mund të jetë edhe politik, kështu që nëse qeveria vendos një afat tjetër, normalisht se e respektojmë… Ato do të trajtohen si vetura pa regjistrim… që do të thotë se vetura nuk duhet të jetë në qarkullim. Praktikisht, e ndalim veturën, ia marrim targat, ia shqiptojmë një tiketë me gjobë prej 15 euro dhe i themi pronarit largo veturën nga komunikacioni, herën e dytë, tani pa targa, e konfiskojmë”, ka thënë Elshani.

Në anën tjetër, numri i qytetarëve që kanë pritur të mërkurën para qendrës së kontrollit teknik në veri të Mitrovicës, ka qenë shumë i vogël.

Tomislav Zhivkoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë për KosovaPress, se situata e përgjithshme dhe rrethanat më të reja të krijuara, kërkojnë që qytetarët të cilët kanë vendosur të jetojnë në këto hapësira, duhet të respektojnë rregullat e këtushme.

Ai e quajti të lirë vlerën financiare që duhet paguar për regjistrimin e automjetit, derisa tha se për të është i kushtueshëm dhe shumë i shtrenjtë fakti që s’mund t’i përdorë më targat e vjetra.

Zhivkoviq tha se gjatë afatit të parë ka qenë në dilemë nëse duhet ta regjistrojë automjetin e tij ose jo, ndërsa tani më në fund ka vendosur për një gjë të tillë, për të mos pasur telashe.

‘Kam obligim të regjistroj automjetin të cilin do ta shfrytëzoj në këto hapësira. Gjendja është e tillë, që nëse duhet të jetohet këtu, atëherë duhet të respektohen rregullat juridike. Çdo synim tjetër, më krijon së pari mua telashe dhe të gjithë pjesëmarrësve tjerë në komunikacion… Jo, nuk kam pritur shumë, procedura është e thjeshtë dhe gjithçka është në rregull… Sa i përket vlerës financiare, absolutisht është në rregull dhe nuk është shtrenjtë, në përputhje edhe me shtetet tjera, ajo që është shumë shtrenjtë, është fakti se mua më pamundëson të drejtën në targat e mëparshme…Sepse kam qenë në dilemë ta regjistrojë automjetin ose jo… Do t’i kisha nxjerr vetes vetëm telashe, andaj kam vendosur që të mos jem pjesë e problemeve të tilla, as unë dhe as familja ime”, u shpreh Zhivkoviq.

Exit mobile version