UBT News

Mbi 300 të moshuar u vaksinuan deri më tani në sallën “1 Tetori”

Të enjten dhe të premten në sallën “1 Tetori” janë vaksinuar 313 persona mbi moshën 85-vjeçare.

Niman Bardhi, koordinator në Qendrën e Vaksinimit në sallën “1 Tetori”, ka treguar se 109 të moshuar janë vaksinuar vetëm të premten.

“Po vazhdon dita e dytë me radhë e vaksinimit për të moshuarit mbi 85-vjeç dhe aktualisht deri në këto çaste që ne flasim kemi të vaksinuar në total 313 persona, kurse vetëm ditën e sotme kemi 109”, deklaroi ai.

Bardhi po ashtu ka thënë se përkundër moshës së shtyrë, këta persona nuk kanë pasur ndonjë shqetësim pas vaksinimit.

“Siç po e shihni në mënyrë kontinuele është duke ecur vijueshmëria e tyre për t’u vaksinuar kështu që deri në orët e mbrëmjes ky numër padyshim do të jetë dukshëm më i madh krahasuar edhe me ditën e djeshme. Fatbardhësisht përkundër moshës madhore deri më tani të gjithë kanë vajtur si më së miri, nuk kemi pasur shqetësim apo reagim sa i përket kësaj kategorie”, ka shtuar ai.

Përkundër që ka pasur kërkesa, Bardhi ka treguar se nuk kanë vaksinuar staf shëndetësor që janë paraqitur pas afatit të paraparë. Po ashtu ai ka bërë me dije se ka tendencë në rritje të personave të interesuar për marrjen e vaksinën.

“Deri në këto çaste që po flasim ka tendencë në rritje të numrit të të vaksinuarve”, ka theksuar ai.

Më 28 mars Kosova ka pranuar kontigjentin e parë të vaksinave antiCOVID, kurse më 29 mars ka filluar zyrtarisht fushata e imunizimit.

Exit mobile version