Mbi 22 mijë persona, personel shëndetësor dhe të moshuar janë vaksinuar deri më tani në Kosovë kundër COVID-19, nga 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca sa i ka siguruar Kosova.
Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë deri në mesditën e së premtes janë vaksinuar vetëm 25 persona.
“Mbi 22 mijë të vaksinuar është numri total dhe po presim deri në fund të ditës se sa po shkon numri”, tha menaxheri i kësaj qendre, Niman Bardhi.
Koordinatori Bardhi tha që deri më tani nuk kanë pasur ndonjë problematikë.
“Për dozat e dyta është akoma herët sepse jemi në ofrimin e dozës së parë, dhe reagime e shqetësime nga të moshuarit që kanë marrë vaksinën nuk ka pasur. Jemi duke vazhduar me vaksinimin e grupmoshës 75 vjeç e mbi, dhe të moshuarit me sëmundje tjera kronike”, deklaroi ai.
Kosova më 28 mars pranoi 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nga COVAX.