Viti 2023 sa i përket aksidenteve në komunikacion në nivel vendi është mbyllur si një vit i jashtëzakonshëm, pasi që numri i aksidenteve ka shkuar mbi 21 mijë, prej tyre 88 me fatalitet. Njohësit e kësaj fushe theksojnë se shkak i këtij numri të madh të aksidenteve është dhe do të mbetet infrastruktura rrugore, për çka thonë se deri më tash nuk është mare asnjë masë parandaluese në pikat e zeza në komunikacion. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse për këtë situatë thonë se në vitin 2023 nuk janë përmbyllur shumë projekte, porse në vitet në vijim do të investohet dhe do të ketë përmirësime.
Sipas raportit të policisë, derisa në vitin 2022 ishin 11 mijë 755 aksidente më dëme, gjatë muajit janar-nëntor të vitit 2023 numri ka arritur në13 mijë e 294, si dhe persona të lënduar mbi 15 mijë.
Këtë situatë alarmante e cilëson edhe eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj i cili tha se viti 2023 ka qenë vit i shëmtuar. Dedaj tha se faktori kryesor i rritjes së numrit të aksidenteve është mungesa e investimeve në komunikacion, ai tha se institucionet duhet të kenë strategji për zvogëlimin e aksidenteve, por se as atë nuk e kanë.
“Për fatin tonë të keq viti 2023 ka qenë një vit i shëmtuar sa i përket aksidenteve të komunikacionit për shkak se parametrat dhe analizat e aksidenteve na japin që ka pas rritje të aksidenteve në çdo formë, nga numri nga lëndimet , pastaj deri të fatalitet dëmet materiale etj. Absolutisht nuk është marrë asnjë masë dhe asnjë projekt i sigurt me shuma të mëdha për me ndikuar në sigurinë e komunikacionit rrugorë. Po ashtu institucionet tona nuk kanë strategjinë sa i përket zvogëlimit të numrit të aksidenteve, nuk e kanë institucionet përkatëse të cilat duhet të merren me hulumtimin e aksidenteve, nuk kanë agjensionet për siguri rrugore. Pra këto janë gjërat fillestarë që i thash edhe që nuk i kanë dhe do të kemi çdo vit vetëm rritje të numrit të aksidenteve. Pikat kyçe janë, faktori njeri, që në qoftë se zbërthen faktori njeri sa të metat i ka, faktori rrugë i cili me elementet e tyre është jashtëzakonisht i ulët, pastaj faktori automjet i cili që në përgjithësi me elementet e tyre sikur frenimi dhe ndriçimi kanë një nivel të ulët të zhvillimit, edhe dy faktorë na paraqiten sikur faktori komunikacioni në rrugë drejtpërdrejt me menaxhimin e komunikacionit dhe me faktorin incident të cilat po shihen pasojat e këtyre aksidenteve”, tha Dedaj.
Të njëjtin mendim sa i përket aksidenteve rrugore dhe investimeve në infrastrukturë e ka edhe njohësi i kësaj fushe, Bekim Ahmeti. Derisa përmend mungesën e kamerave, mungesën e radarëve, mungesën e transportit publik, ai shprehet se gjendja është e njëjtë, nuk ka asnjë ndryshim për investime në komunikacion. Ahmeti thotë se për parandalimin e aksidenteve duhet të vetëdijesohen qytetarët dhe institucionet të gjejnë zgjidhje për ta.
“Është njësoj sepse nuk kemi, kamera, nuk kemi radar, as transport publik më të mirë se sa vitin e kaluar jemi njësoj aty ku kemi qenë. Nuk e di, vetëdija e qytetarëve si po e shoh nuk ka ndryshuar sepse por një statistikë që e kemi dhënë para disa ditëve nuk ishte një diference prej vitit në vit. P.sh prej shkaktarëve të mundshëm të cilët kanë pësuar aksidente qytetarët. Po mendoj që të vetëdijesohen institucionet tona, lokale apo ato qendrore që të kemi një tramvaj në Prishtinën, dhe pastaj të vazhdojmë në qytetet tjera aty ku kanë nevojë, të vazhdohet me unazën e qytetit e cila ka ngecur nga viti 2009 dhe të kemi një transport publik brenda qytetit më të mirë dhe qytetarët te kenë nevojë më pak të marrin automjetin e udhëtareve”, tha Ahmeti.
Sa i përket investimeve në infrastrukturë, komunikacion dhe pikave të zeza të aksidenteve, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu thotët se 2023-ta ka qenë vit i vështirë, por sipas tij, janë përmbyllur projekte të rëndësishme rrugore. Aliu përmendi investimet në rrugën e Gjakovës, Podujevës dhe autostradën e Gjilanit.
“Viti 2022 ka qenë rritje e punës e cila themi në fund e ka arrit me nxjerr disi të suksesshëm vitin 2022, por viti 2023 ka qenë vit i dinamikave dhe në 2024 presim me i vazhduar këto projekte më tutje. 2023 ka qenë fillim i përmbylljes të gjitha punëve në vend qoftë në infrastrukturë, ndërtimin, mirëmbajtjen, sinjalistikën i kemi filluar projektet e rëndësishme të kyçjeve , një pjesë është dashtë të mbyllen dhe të rifillohen sikur rasti i Mitrovicës jemi marrë me zgjidhjen e problemeve në rrugën e Gjakovës, ajo për Podujevë është në proces mjaftë të mbarë dhe do të realizohet brenda afatit. Kemi arrit me përfunduar dizajnin e kyçjes së autostradës nga Gjilani deri në Dheun e bardh e cila fillon në 2024”, tha Aliu.
Po ashtu, Aliu shtoi se për vitin 2024 vendosja e kamerave në komunikacion do të jetë një ndër investimet më me ndikim në komunikacion. Ai u shpreh së është i kënaqur me investimet të cilat janë përfunduar dhe ato që janë në nisje sa i përket komunikacionit në vend.
“Sa i përket aksidenteve, një projekt tjetër të cilën jemi duke zhvilluar është projekti ITS-së i cili ka me ndikuar shumë, projekti i sinjalistikës që ka filluar në këtë vit dhe është gjithandej në rrugët e Kosovës duke ekzekutuar projektet e sinjalistikës dhe infrastrukturës do të merren të gjitha masat. Përmbyllje do të jetë sistemi inteligjent që do të vendosen kamerat gjithandej në rrugët, në veçanti në autostrada i cili do të jetë i kombinuar edhe me aspektin e taksës rrugore. Jemi në fazë të dizajnimit, e kemi përmbyll edhe strategjinë, jemi duke punuar në terma të referencës që të punojmë sa më shpejt. Viti 2025 do të jetë viti i përmbylljes së ITS-së, po shpresoj, jemi duke punuar që me qenë 2025-ta përmbyllje e ITS-së”, tha Aliu.