Mbi 2.5 milionë njerëz kanë shkuar nga Ukraina në Poloni si pasojë e luftës, njoftoi Garda Kufitare polake të enjten.
Ndonëse ende nuk dihet se sa nga 2.5 milionë refugjatët janë ende në Poloni, një zëdhënës i ministrisë së brendshme i tha CNN të enjten se 700 mijë ukrainas janë regjistruar në një bazë të dhënash polake që ua mundëson refugjatëve të punësohen ose të vazhdojnë arsimimin e tyre. Sipas tij, të regjistruarit janë kryesisht njerëz që duan të qëndrojnë në Poloni.
Më shumë se 4.3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
Përveç kësaj, më shumë se 7.1 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda vendit në Ukrainë pasi janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, sipas raportit të fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin./UBTNews/