Mbi 160,000 persona, sipas policisë, marshuan në Berlin për të protestuar kundër planit të kufizimit të emigracionit të propozuar nga konservatorët e opozitës dhe mbështetur nga Alternativa për Gjermaninë (AfD). Demonstrata u zhvillua nga rrugët afër Bundestagut deri tek selia e partisë CDU, ku protestuesit ndezën dritat e celularëve dhe shprehën pakënaqësi ndaj kandidatit të CDU-së për kancelar, Friedrich Merz. Ata kërkuan një distancë të qartë nga AfD dhe kritikuan bashkëpunimin politik me këtë parti ekstremiste.
Në fjalët e protestuesve, frika për fuqizimin e një partie radikale të djathtë dhe ndikimi negativ që mund të ketë kjo në jetën e qytetarëve, sidomos për ata që nuk janë me pasaportë gjermane, ishte evidente. Shumë shprehën shqetësimin që CDU, një parti tradicionale, po bënte marrëveshje me AfD, një zhvillim që ata e cilësuan si një tronditje të madhe.
Kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, ka propozuar një projektligj për emigracionin që parashikon kufizime në bashkimin familjar për disa refugjatë dhe kthimin e emigrantëve, por përballë mungesës së mbështetjes nga deputetët e tij dhe opozitës, ai nuk arriti të kalonte ligjin në parlament. Ky projektpropozim, i mbështetur nga AfD, ka ngjallur shqetësime për bashkëpunimin e partisë konservatore me ekstremistët e djathtë, dhe ka dëmtuar autoritetin e Merz, i cili mund të bëhet kancelar i ardhshëm pas zgjedhjeve të 23 shkurtit./UBTNews/