Si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, 14 milionë ukrainas janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, tha shefi i Kombeve të Bashkuara për refugjatët. Kjo do të thotë se numri i refugjatëve dhe personave të zhvendosur në mbarë botën është rritur në më shumë se 103 milionë, tha Filippo Grandi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Grandi, kreu i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, tha se ukrainasit do të përballen me “një nga dimrat më të ashpër në botë në rrethana jashtëzakonisht të vështira”.
Sipas tij, shkatërrimi i vazhdueshëm i infrastrukturës civile po e bën “përgjigjen humanitare të duket si një pikë në oqeanin e nevojave të banorëve”.
Organizatat humanitare kanë “rritur në mënyrë dramatike reagimin e tyre”, tha ai, “por duhet bërë shumë më tepër, duke filluar me përfundimin e kësaj lufte të pakuptimtë”.
Në një konferencë për media, Grandi tha se ndërsa Ukraina vazhdon të jetë në krye të lajmeve, agjencia e tij u është përgjigjur 37 emergjencave në mbarë botën në 12 muajt e fundit./UBTNews/