Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial do të angazhohen për mbikëqyrjen e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, me qëllim garantimin e integritetit të procesit zgjedhor në të gjithë vendin.
Sipas njoftimit, Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe për sigurimin e një procesi zgjedhor të rregullt dhe transparent.
“Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Njëkohësisht, Prokurori i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike dhe organizatave që të raportojnë çdo rast të dyshuar për keqpërdorim apo manipulim të votës.
“Ftojmë qytetarët dhe të gjitha palët e përfshira që të denoncojnë çdo rast për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre”, theksohet në njoftim.
