Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zbuluar dy raste të substancave narkotike gjatë kontrolleve në Pikën Kufitare të Vërmicës.
Në rastin e parë, gjatë kontrollit të një automjeti që po hynte në Kosovë, janë gjetur 104.90 gramë substancë e dyshuar si kokainë, e fshehur në çantën personale të një udhëtari.
Ndërkaq, në rastin e dytë janë zbuluar 5.53 gramë substancë e dyshuar si marihuanë, e fshehur në bagazhin e një automjeti. Gjatë kontrollit është gjetur edhe një thikë kuzhine e padeklaruar.
Rastet janë proceduar për hetime të mëtejshme nga autoritetet kompetente.
/A.K/
