UBT News

Mbi 1 milion udhëtarë më pak në Aeroportin e Prishtinës gjatë vitit 2020

1 milion e 267 mijë e 751 udhëtarë më pak ka pasur Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” gjatë 2020-tës, krahasuar me vitin 2019. Kjo për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Ndërsa gjatë vitit që lamë pas janë realizuar 8 mijë e 878 fluturime më pak se sa në vitin 2019, ku numri total i fluturimeve ishte 17 mijë e 370. Kështu kanë bërë të ditur nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” nëpërmjet një komunikate për media lidhur me ndikimin e pandemisë gjatë vitit 2020.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari ‘, LKIA, ka përmbyllur vitin 2020 duke iu shërbyer 1,102,016 udhëtarëve apo 1,267,751 udhëtarë më pak se sa në vitin paraprak ku numri total i udhëtarëve ishte 2,369,767. Sa i përket numrit të fluturimeve janë realizuar 8,472 fluturime apo 8,878 fluturime më pak se sa në vitin 2019 ku numri total i fluturimeve ishte 17,350”, thuhet në komunikatën për media.

Destinacionet më të shërbyera gjatë vitit 2020 kanë qenë Zvicra me 41,41%, Gjermania 31,87%, Turqia 13,14%, Austria 5,10%, Mbretëria e Bashkuar-UK 3,53%, Suedia 1,74%, Belgjika 1,42% etj.

Përkundër gjithë kësaj, thuhet se “Adem Jashari” ka pasur një performancë që e liston në top listën e aeroporteve me performancë të mirë.

“Kjo shënon një rënie në numër të udhëtarëve prej -53.50% krahasuar me vitin 2019, ndërsa një rënie në numër të fluturimeve prej 51,17%. Megjithatë, ANP ‘Adem Jashari’ ka pasur njё performancё qё e liston nё top listën e aeroporteve me performancё tё mirё pёrkundёr pandemisё. Një rënie e tillë në numër të fluturimeve dhe udhëtarëve vjen si pasojë e pandemisë Covid-19”, thuhet tutje në komunikatën për media. 

Exit mobile version