Mbi 1 mijë persona janë vrarë në Izrael dhe Rripin e Gazës, pasi militantët palestinezë të Hamasit, kryen një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, që nxiti kundërpërgjigje nga forcat izraelite.
Autoritetet në Izrael kanë thënë se të paktën 600 persona janë vrarë gjatë dhunës, ndërkaq numri i viktimave në Rripin e Gazës ka arritur në 413.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, në mesin e viktimave janë 78 fëmijë dhe 2 mijë e 300 persona janë plagosur.
Këto shifra vijnë teksa për të dytën ditë me radhë, forcat izraelite dhe militantët e Hamasit kanë vazhduar përleshjet në jug të Izraelit.
Më herët gjatë ditës, kabineti i sigurisë së Izraelit shpalli gjendje lufte. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ky vendim u mor për shkak se shteti u përball “me sulme terroriste nga Gaza”.
Ndërkaq, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë tha se 74.000 persona në Rripin e Gazës janë strehuar në disa shkolla, pasi Izraeli u bëri thirrje banorëve që jetojnë rreth Gazës që brenda 24 orëve të evakuohen.
Kjo agjenci po ashtu konfirmoi se një prej shkollave që ajo drejton në këtë zonë ishte cak i një sulmi të dielën, por tha se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur viktima si pasojë e sulmit./REL/