Kosova po vazhdon të ballafaqohet me mungesën e infermierëve e profesionistëve të tjerë shëndetësor. Si rrjedhojë të alarmuar me situatën janë edhe nga Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së. Kjo sindikatë ka paralajmëruar shifra të frikshme të infermierëve që sipas tyre janë të gatshëm ta lëshojnë Kosovën.
“Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së është duke e përcjellur me shqetësim të madh ikjen e profesionistëve shëndetësor nga QKUK, e në veçanti të infermierëve. S.B., E.D., SH.H., L.S., K.K., SH.G., E.K., janë vetëm disa nga mbi 1500 infermierët në përgatitje që do të largohen gjatë vitit 2023. Padyshim që meritojnë një vëmendje institucionale, mirëpo edhe përpjekje serioze dhe maksimale për ta ngadalësuar këtë tred, duke ofruar kushtet për punë por edhe ngritje pagash”, thuhet në njoftimin e kësaj sindikate.
Prej aty i kanë bërë thirrje Qeverisë që të reflektojë mbi këtë situatë.
“Urojmë që Qeveria, Ministria përkatëse të reflektojë, të punësojë infermierë të rinj, ndërsa urojmë që edhe nga këta profesionist mos të largohen nga Kosova, sepse atëherë do shihet vërtetë kolapsi në shumë klinika, ndërsa të njëjtit nuk ka mundësi të zëvendësohen, pasi një profesionist i tillë nuk krijohet brenda muaji, e në anën tjetër qytetarët do e pësojnë më së shumti. Të shërbejmë nga pozicionet tona, mos të sundojmë dhe mos të ndajmë privilegje brenda komuniteteve. Privilegj ka vetëm qytetari dhe pacienti i cili kërkon shërbimet tona”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.