Lëvizja FOL ka njoftuar se në vitin 2023 janë regjistruar 2 mijë e 684 raste të dhunës në familje, prej të cilave 1 mijë e 393 janë zgjidhur e 1 mijë e 291 janë bartur për t’u trajtuar sivjet.
Hulumtuesja e Lëvizjes FOL, Albana Hasani, ka thënë se raporti është bazuar në të dhënat e Prokurorisë. Sipas saj, bartja e lëndëve vazhdon të mbetet sfiduese për organet e sistemit të drejtësisë. Në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës në vitin 2023 ishin bartur 1 mijë e 887 lëndë të dhunës në familje nga vitet paraprake, përkatësisht 70 për qind e lëndëve që kanë që në punë në vitin 2023.
“Ndërsa, në shtatë prokuroritë themelore, në vitin 2023 ishin bartur gjithsej 1 mijë e 381 lëndë të dhunës në familje nga vitet paraprake apo 32 për qind të të gjitha lëndëve në punë. Norma mesatare e zgjidhjes së lëndëve të dhunës në familje në të gjitha gjykatat themelore gjatë vitit 2023 ishte 175 për qind, që nënkupton se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe ishte dukshëm më i lartë se numri i lëndëve të reja të krijuara”, ka thënë Hasani.