Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta antiCOVID.
Lajmin e ka konfirmuar shefi i Qeverisë në detyrë, Avdullah Hoti pas takimit me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani dhe me drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.
Hoti pas takimit shkroi në Facebook se deri në fund të muajit pritet të arrijë kontrigjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX, dhe menjëherë do të fillojë vaksinimi i qytetarëve.
“Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrij kontingjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve.Nga qytetarët kërkuam që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa institucionet përgjegjëse të shtojnë angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi”, shkroi ai në Facebook.
Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë u raportuan tetë raste të vdekjes si dhe u regjistruan 632 raste të reja./UBTNews